Lidhje direkteGaleriaHarta e faqes |   ShqipSrpskiEnglish
BallinaPËR KPM-nëLEGJISLACIONILICENCIMIDIGJITALIZIMIANKESAT/QDPDokumentetKontaktiPUBLIKIMET

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE MBAJTI MBLEDHJEN E RREGULLT

DL29.07.2019 -

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 24 korrik 2019 nën udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Muja FERATI,  ka mbajtur  mbledhjen e tetë të rregullt për vitin 2019.

Fillimisht Komisioni miratoi  agjendën e mbledhjes dhe pastaj procesverbalin nga mbledhja e fundit.

Në vazhdim të mbledhjes  KPM ka  shqyrtuar Raportin Tremujor prill – qershor 2019 për punën e KPM-së. Pas shqyrtimit Komisioni miratoi raportin për t’u përcjell në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurës duke u bazuar në obligimin ligjor që del nga neni 15 i Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Në relacion me monitorimin e mediave për pajtueshmërinë e tyreme legjislacionin e KPM-së, Komisioni ka miratuar edhe “Raportin e Monitorimit të lajmeve qendrore të OSHMA-ve gjatë periudhës prill – maj 2019”.

KPM duke u bazuar në nenin 3, paragrafi 2, pika 11 e Ligjit për  KPM,  ka iniciuar procedurën për hartimit të Rregullores për mbështetjen e ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale me mbulim tokësor lokal dhe regjional. Siç parashihet me procedurat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar (neni 8 i Ligjit për KPM-në, Ligji Nr. 04/L-44), KPM në pajtim me Ligjin, ka vendosur në diskutim publik draftin e të rregullores, ku të gjitha palët e interesuara kanë pasur mundësinë të japin komentet/vërejtjet  e tyre me shkrim lidhur me draft Rregulloren për mbështetjen e ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale me mbulim tokësor lokal dhe regjional. Konsultimi publik ka filluar më 26 dhjetor 2018 dhe ka zgjatur deri me 31 maj 2019. Pas shqyrtimit Komisioni miratoi Rregulloren për mbështetjen e ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale me mbulim tokësor lokal dhe regjional.

Komisioni gjithashtu ka diskutuar rreth ankesave të OSH-ve ndaj Vendimit të Komisionit – “Bartja e Obligueshme”. Pas diskutimit Komisioni vendosi që të shfuqizohet Vendimi Nr. 1906/783/KPM/mf përmes të cilët janë përjashtuar nga lista e bartjes se obligueshme Ofruesit e Shërbimeve Mediale të cilët transmetojnë jashtë rrjetit tokësorë të transmetimit (jashtë brezit frekuencor). Si dhe me qëllim të adresimit të kërkesës së Ofruesve te Shërbimeve Mediale për përjashtim nga bartja e obligueshme,  themelohet një Grup Punues për inicimin e ndryshimit të Rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuale KPM-2016/01.

Komisioni shqyrtoi disa raste  ligjore që kishin të bëjnë shkelje të legjislacionit të KPM-së respektivisht shkeljen e Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuale dhe Kreut VIII të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.  Lidhur me shkeljen e Kodit të Etikës u shqyrtuan këto raste:

KTV – Ankesë nga z. Lulzim Kadriu - pas shqyrtimit të këtij rasti Komisioni vendosi se KTV ka vepruar në pajtim me Kodin e Etikës KKPM-2016/03 për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës dhe ankesa përmes së cilës pretendohet se KTV i ka cenuar të drejtat individuale me qëllim të denigrimit të personalitetit të tij, refuzohet si e pabazuar.

Lidhur me shkeljen e Kodit te Etikes së KPM-së gjatë  raportimit të  aksionit të policisë në veri të vendit u shqyrtuan  këto raste: Klan Kosova, KTV, RTK1, RTK2, TE7, TV21, TV Dukagjini.  Ndërsa gjatë  raportimit të  rastit të njohur si “Gruaja rome” u shqyrtuan  këto raste: Klan Kosova, KTV,  TE7, TV Dukagjini.

KPM në bazë të monitorimit ka gjetur se të gjitha OSHMA-të e lartpërmendura gjatë raportimit të rastit të  aksionit të policisë në veri të vendit, gjatë raportimit të kësaj ngjarjeje kanë transmetuar video në të cilat është bërë zbulimi dhe identifikimi i të dyshuarve të arrestuar.

Pas shqyrtimit të rasteve Komisioni ka gjetur se të gjitha OSHMA-të e lartpërmendura kanë bërë shkelje të nenit 7 paragrafi 2, dhe 3, të Kodit të Etikës KKPM-2016/03.  Komisioni vendosi që palët përgjegjëse të sanksionohen me Vërejtje në pajtim me nenin 30, paragrafi 1, të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 7, paragrafi 2, të Kodit të Etikës KKPM-2016/03. Gjithashtu palët përgjegjëse obligohen që në të ardhmen t’i kushtojë kujdesin e duhur mbrojtjes së identitetit dhe integritetit të personave të dyshuar në mënyrë që të veprojë në pajtim me Kodin e Etikës KKPM-2016/03.

Shkelja e Ligjit për Zgjedhjet dhe Kodit të Etikës gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve në veri të vendit u shqyrtuan 2 raste: TV Most dhe TV Puls.

Pas shqyrtimit të këtyre rasteve Komisioni vendosi të sanksionojë OSHMA-të e lartpërmendura me Vërejtje në pajtim me nenin 30, paragrafi 1, të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 5 paragrafi 6 i Kodit të Etikës KKPM 2016/03 për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës.  Obligohen OSHMA-të e lartpërmendura që në të ardhmen t’i kushtojë kujdesin e duhur gjuhës së përdorur gjatë transmetimit, në mënyrë që të veprojë në pajtim me Kodin e Etikës KKPM-2016/03.

Në vazhdim të  mbledhjes Komisioni i KPM-së ka trajtuar edhe disa kërkesa në rastet e licencimit, respektivisht kërkesa për ndryshim të emrit nga Radio Drenasi, si dhe kërkesën për licencim të OSHMA me transmetim përmes OSH për 8 kanale nga  Albatrade Music&Movie LLC.

Pas shyqrtimit të rasteve Komisoini vendosi të miratojë kërkesën për ndryshim të emrit nga Radio Drenasi si dhe të refuzojë kërkesën për licencim të OSHMA me transmetim përmes OSH për 8 kanale nga  Albatrade Music&Movie LLC, sepse ka dorëzuar kërkesë të pa kompletuar dhe nuk i ka plotësuar kriteret ligjore sipas Ligjit dhe akteve nënligjore të KPM-së. Kandidati njoftohet se ka të drejtë që sërish të aplikojë për licencë të ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale, pasi të plotësojë kriteret e përcaktuara ligjore sipas Ligjit të KPM-së.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE