Të licencuarit
286 - Ankesa Qdp | KPM

Ankesat

Komisioni i Pavarur i Mediave monitoron transmetimet e shërbimeve mediale audio-vizuale Kosovare dhe mund të inicioj ankesën e vet ex-officio nëse vlerëson që ndonjë nga rregulloret e saj është shkelur.

Çdo person apo organizatë mund të parashtroj një ankesë, dhe pasi që ankesa të jetë parashtruar zyrtarisht, procedura ligjore është e njëjtë pavarësisht nëse është parashtruar nga një qytetar apo ex officio.

Çfarë është një Ankesë?

Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me shkelje të mundshme të kushteve të licencës për transmetim, Kodit të Etikës për Shërbime Mediale Audio-Vizuale, Ligjit dhe  akteve nënligjore të KPM-së. Çështjet më të rëndomta të ankesës janë drejtësia apo saktësia e një programi të transmetuar apo interferencat e sinjalit transmetues të një subjekti transmetues me tjetrin.

Procedimi i ankesave të tilla nuk duhet të ngatërrohet me censurimin. KPM-ja nuk mund t'i tregoi mediumit se çka ata duhet apo nuk duhet të transmetojnë. Rregulloret e KPM-së thjesht kërkojnë nga mediat Kosovare t'i përkrahin standardet evropiane të profesionalizmit. Kjo do të thotë se çështjet duhet të prezantohen nga të gjitha anët, në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Mediat gjithashtu duhet të përmbahen nga transmetimi i materialit që mund të rrezikoj sigurinë e një individi, apo që përmban rrezik të madh të kërcënimit të rendit publike, siç mund të jetë nxitja e dhunës.

Para se ta parashtroni një ankesë

Nëse keni ndonjë shqetësim për sjelljen e mediave, së pari provoni ta kontaktoni mediumin relevant. Mënyra më e mirë është ta telefononi atë së pari, pastaj t'i shkruani atyre një letër. Në këtë mënyrë shumë ankesa mund të zgjidhen pa përfshirë KPM-në.

Së pari kërkoni nga mediumi të lëshoj korrigjimin e vet apo sqarimin e të dhënave. Nëse çështja ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në reputacionin tuaj, ju mund të ushtroni të Drejtën Tuaj për Reagim dhe të kërkoni që në mënyrë të drejtpërdrejt t'i përgjigjeni vet programit të transmetuar. Sqarimi duhet të jetë i thjeshtë, faktik dhe i shkurtër.

Jepni mediumit një periudhë të arsyeshme kohore për të rishqyrtuar ankesën dhe/apo kërkesën tuaj. Nëse mediumi nuk pajtohet për një zgjidhje adekuate në një periudhë të arsyeshme kohore (siç është 48 orë), informoni mediumin që ju do të parashtroni një ankesë në KPM.

Nëse përsëri nuk jeni të kënaqur me përgjigjen e mediumit, ju lutemi shkruani, dërgoni me fax apo e-mail ankesën tuaj tek KPM-ja, së bashku me dokumentacionin për shkelje, nëse është e mundshme. (Informatat tona kontaktuese janë të regjistruara në kolonën e djathtë të kësaj faqeje).

Si të parashtroni një ankesë

Kontakto KPM-në përmes telefonit, fax-it, e-mailit, apo na vizitoni personalisht. Ju duhet të na jepni informatat vijuese:

Emrin e mediumit.

Datën dhe kohën e transmetimit të programit për të cilin ka të bëjë ankesa.

Deklaratë të qartë dhe specifike për shkeljet që ju besoni se u janë bërë.

Kini parasysh që procesi i ankesave të KPM-së nuk është i përgatitur të merret me komentimet apo deklaratat me të cilat ju thjeshtë nuk pajtoheni. Qëllimi ynë është të zgjidhim çështjet e drejtësisë dhe saktësisë faktuale, e jo të merremi me censurë.

Paraqitni një ankesë sa më shpejt

Rregulloret e KPM-së kërkojnë nga subjektet transmetuese të mbajnë inçizimet e të gjitha programeve të tyre për 21 ditë, veç nëse ndryshe kërkohet nga KPM-ja. Është me rëndësi që ankesa juaj të mbërrij tek ne me kohë në mënyrë që ne të procesojmë atë para se të kalojnë 21 ditë nga koha kur ju i referoheni ndonjë programi transmetues. Nëse arrin shumë vonë, dokumentacioni mund të jetë hequr nga arkivi i subjektit transmetues dhe do të jetë vështirë që rasti të ndjeket.

Çfarë do të bëj KPM-ja me një ankesë?

Së pari, KPM-ja do ta regjistrojë dhe shqyrtoj ankesën nëse është e kompletuar. KPM-ja do të kontaktoj mediumin për ta diskutuar ankesën dhe gjithashtu mund t'ju kontaktoj juve për informata tjera.

KPM-ja do të kërkoj nga stacioni kasetat relevante të arkivës. Nëse subjekti transmetues nuk mban një arkiv, do të jetë vështirë të procedohet ankesa, por KPM-ja mund të vendos sanksione edhe vetëm për mungesë të arkivës.

Porsa të mblidhen dëshmitë paraprake, Divizioni Ligjor i KPM-së do të shqyrtoj ankesën për të caktuar nëse Ligji i KPM-së apo ndonjë prej rregulloreve të saj është shkelur dhe do t'i bëjë rekomandime Këshillit të KPM-së. Nëse KPM-ja konkludon që një rregullore është shkelur, ajo së pari do të përpiqet të gjej një zgjidhje apo marrëveshje jashtë-gjyqësore që kënaqin të dyja palët, mediumin dhe personin apo organizatën që ka parashktruar ankesën pa nevojën për sanksione formale. Zgjidhjet e mundshme përfshijnë:

Një sqarim apo korrigjim nga mediumi

E Drejta për Kundërpërgjigje dhënë për qytetarin që ankohet

Kërkim Faljeje publike prej mediumit

Nëse nuk mund të gjindet një zgjidhje e përshtatshme, KPM-ja do t'i lëshoj mediumit një Njoftim zyrtar për shkelje, duke theksuar shkeljet për të cilat akuzohet dhe duke shpjeguar që KPM-ja mund të vendos sanksione për të dënuar shkeljen.

Pasi që Njoftimi për Shkelje të lëshohet, mediumi ka shtatë ditë për tu përgjigjur. Nëse përgjigjja është e pakënaqshme, KPM-ja ose do të lëshoj një paralajmërim formal për mediumin ose do të inicioj procedura ligjore për të ndjekur sanksionet. Përveç nëse është shumë serioze, për shkelje të parë mediumi zakonisht merr një paralajmërim. KPM-ja mund të sanksionojë subjektet transmetuese nësë është dëshmuar se subjektet transmetuese kanë bërë ndonjë shkelje.

KPM-ja preferon marrëveshjet dhe zgjidhjet konstruktive

Në përgjithësi, KPM-ja preferon shmangjen e procedurave ligjore që marrin kohë me anë të negocimit për marrëveshje jashtë-gjyqësore. Gjithashtu më shumë preferon zgjidhjet konstruktive (siç është investimi në trajnime të gazetarëve) se gjobat. Në çdo kohë gjatë hulumtimit të një ankese formale, KPM-ja është e hapur për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje. Ju mund të mësoni më shumë për trajtimin e ankesave në KPM dhe të shikoni një tabelë me rezultatet prej rasteve të ankesave dhe sanksioneve duke vizituar faqen tonë mbi Vendimet.

Ankesat mund të paraqiten në Formularin për Ankesë dhe e dërgoni në info@kpm-ks.org

Këtu mund të dërgoni ankesën tuaj. 

Ndërsa ankesat ndaj mediave të licencuara në Shqipëri, mund të dërgohen në këtë adresë: info@ama.gov.al ose në linkun http://ama.gov.al/

 

Zyrtare përgjegjëse për sinjalizim - Sanije Imeraj Zatriqi. Kontakti: sanije.imeraj@kpm-ks.org