Të licencuarit
2262 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM PUBLIKON RAPORTIN E MONITORIMIT TË MEDIAVE GJATË FUSHATËS SË ZGJEDHJEVE LOKALE 2017

30 November 2017

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka bërë monitorimin e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuale (OSHMA) të cilat kanë mbuluar fushatën e Zgjedhjeve Lokale 2017. Periudha e monitorimit ka zgjatur prej 21 shtator deri më 22 tetor 2017.

Monitorimi ka pasur për qëllim vlerësimin e performancës së OSHMA-ve, në pajtim me Kreun VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve” të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të gjeturat nga monitorimi i realizuar, janë prezantuar në raportin të cilin KPM e publikon sot.

Në monitorim janë përfshirë 25 OSHMA, prej të cilëve nëntëmbëdhjetë (19) janë me mbulim nacional, regjional dhe lokal në transmetim tokësor dhe gjashtë (6) OSHMA me program gjeneralistik që transmetohen përmes operatorëve të shpërndarjes. Ndërsa monitorimi është bërë për programet e transmetuara nga ora 16:00 deri më 24:00.

Gjatë analizës është bërë edhe vlerësimi për mënyrën e prezantimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të, (nëse ka pasur nxitje të urrejtjes, gjuhë të papërshtatshme, denigruese, fyerje, shpifje apo shkelje të dispozitave tjera të dhëna në Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës) në pajtim me Kodin e Etikës dhe standardet profesionale të gazetarisë

Gjatë monitorimit janë vlerësuar: paanshmëria në raportim, hapësira e ofruar për Subjekt i Çertifikuar Politik (SÇP), gjuha e  përdorur si dhe pajtueshmëria me obligimet që dalin nga Kreu VIII të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Pikat kryesore nga të gjeturat e këtij raporti janë:

-        Sa i përket distribuimit të kohës (sasisë së dhënë) në edicionet e lajmeve, ofruesit e shërbimeve mediale audio–vizuele kanë arritur balancim më të madh kryesisht tek subjektet e certifikuara politike të cilat kanë pasur aktivitete dhe fushatë më të dendur;

-        Mediet me mbulim lokal mbuluan kryesisht fushatën e SÇP -ve të cilat garuan në komunat ku ato operojnë;

-         OSHMA-të të cilat transmetojnë në gjuhën e minoriteteve  kanë transmetuar kryesisht fushatat e SÇP -ve nga radhët e minoriteteve;

-         Prezantimi i kampanjave zgjedhore të SÇP -ve nga radhët e minoriteteve në televizionin publik RTK1 dhe RTK2 janë bërë edhe në edicionet e lajmeve në gjuhët e minoriteteve;

Komisioni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e mbajtur me 1 nëntor 2017 ka miratuar Raportin e Monitorimit të Mediave gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale 2017, si dhe ka shqyrtuar të gjitha rastet e shkeljeve që janë evidentuar gjatë monitorimit të mediave që kanë mbuluar fushatën e zgjedhjeve lokale 2017.

Vendimet e KPM-së për të gjitha këto raste ligjore do të publikohen në ueb faqen e KPM-së sapo t’u dërgohen palëve.

RAPORT MONITORIMI I MEDIAVE GJATË FUSHATËS SË ZGJEDHJEVE LOKALE 2017

 KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE