Të licencuarit
2264 - Lajmi_i_plot | KPM

NJOFTIM NGA MBLEDHJA E KOMISIONIT TË PAVARUR TË MEDIAVE

26 September 2017

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), më 22 shtator 2017, ka mbajtur mbledhjen e dhjetë me radhë për vitin 2017, të kryesuar nga Kryetari z. Adnan MEROVCI.                                           

Fillimisht në këtë mbledhje, Komisioni miratoi agjendën dhe procesverbalin nga mbledhja e kaluar. 

Më pas Komisioni diskutoi lidhur me rekomandimet e Zyrës Ekzekutive për amandamentim të disa neneve që kanë të bëjnë me teleshoping të Rregullores për Komunikime Komerciale Audio –Vizuale KPM-2016/02 dhe për amandamentim të Nenit 11 të Rregullores KPM-2017/03 për Tarifën Vjetore për Licencë. Komisioni u pajtua me propozimet për ndryshime dhe vendosi që të procedohen tutje për konsultim publik. Duke pas parasysh angazhimin e madh të mediave që deri më 22 tetor 2017 do të mbulojnë fushatën për zgjedhjet lokale 2017, procedura e diskutimit publik do të zhvillohet pas përfundimit të zgjedhjeve. 

Në këtë mbledhje Komisioni gjithashtu shqyrtoi një rast ligjor/ankesë të paraqitur në KPM nga subjekti politik LDK kundër OSHMA Klan Kosova për shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës Nr. 03/L-073 dhe Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës KKPM-2016/03. Pas shqyrtimit të ankesës dhe provave,  Komisioni erdhi në përfundim se nuk ka prova se është shkelur legjislacioni i KPM dhe rrjedhimisht ankesa refuzohet si e pabazuar.   

Po ashtu, KPM ka trajtuar edhe pesë raste të licencimit dhe ka marrë vendim për licencim të OSHMA Suite TV dhe OSHMA Travelista dhe për ndryshim të skemës programore të Klan Kosova dhe Zico TV si dhe MAX TV i është miratuar kërkesa për ndryshim të certifikatës se biznesit nga NSh në SHPK.

Gjithashtu Komisioni diskutoi edhe për përgatitjet e KPM lidhur me punën gjatë zgjedhjeve lokale,  respektivisht monitorimin  nga ana e KPM të shërbimeve mediale audiovizuale  gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale dhe procedimin me kohë të rasteve të mundshme që do të evidentohen.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE