Të licencuarit
2525 - Lajmi_i_plot | KPM

ROLI I SUBJEKTEVE TRANSMETUESE NE KONKRETIZIMIN E PROJEKTIT TE DIGJITALIZIMIT

23 November 2012

KOMUNIKATË PËR MEDIA 

Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) si kategori kushtetuese e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, në bazë të ligjit nr. 04/L-44, që ka hy në fuqi me 20 prill 2012, është autoritet rregullator për shërbimet mediale audio-vizuele, që menaxhon me spektrin frekuencorë (radio dhe TV) dhe që licencon subjektet transmetuese publike e private në Republikën e Kosovës. Në kuadër të mandatit, KPM-ja krahas rishikimit të akteve nënligjore, që kanë të bëjnë me rregullimin e transmetimit, si në aspektin teknik ashtu edhe përmbajtësor, aktualisht është i angazhuar me finalizimine e procesit të digjitalizimit, që është njëra nga detyrat më të rëndësishme, por edhe tepër të ngutshme, që edhe Kosova është e  kushtëzuar ta realizojë digjitalizimin më së largu deri në muajin qershor  2015.

Duke pasur parasysh rëndësinë e procesit të digjitalizimit dhe ndërlikueshmërinë e këtij procesi, që nga vitit 2009 KPM-ja ka krijuar disa grupe punuese, të cilat pas një punë intensive, tashmë është në pragun e finalizimit të hartimit të projekt-strategjisë për digjitalizimin. Bëhet fjalë për Projekt-strategjinë e hartuar sipas vizionit dhe pikëpamjeve të industrisë së mediave ne Kosovë të udhëhequr nga KPM-së. 

KPM-ja, e vetëdijshme se për hartimin e një strategjie të mirëfilltë kërkohet pjesëmarrje shumë më e gjerë, është e interesuar që ta gëzojë qasjen e të gjithë faktorëve me ndikim dhe që janë të ndërlidhura me procesin e digjitalizimit. Këtu në mënyrë të veçant është e domosdoshme pjesëmarrja aktive e të gjitha mediumeve transmetuese kosovare, interesi i të cilave është absolutisht i ndërlidhur me digjitalizimin.  KPM-ja beson se do të ketë përkrahjen e të gjitha institucioneve kompetente të vendit, të cilat do të ofrojnë  angazhimin e tyre, duke siguruar kushtet e duhura për zhvillimin e digjitalizimit në Kosovë, deri në realizimin e aktit përfundimtar të kalimit nga transmetimi analog në atë digjital.

KPM-ja para se të nxjerrë në diskutim publik projekt-strategjinë për digjitalizimin, shpreson dhe beson për angazhim të menjëhershëm të të gjitha mediumeve transmetuese kosovare, që si subjekte transmetuese kanë rol dhe përgjegjësi të veçantë, prandaj participimi i pikëpamjeve strategjike nga këndvështrimi i tyre do të ishte ndihmë jashtëzakonisht e madhe për cilësinë e planifikimit dhe të realizimit të procesin e digjitalizimit, siç kërkohet dhe theksohet edhe në një numër të dokumenteve të Komisionit të Evropian.

Transmetuesi publik dhe të gjitha subjektet transmetuese  do të vepronin shumë dobishëm nëse planet e tyre strategjike përkitazi me procesin e digjitalizimit t’i harmonizonin me projekt-planin e strategjisë së KPM-së, sepse nga një bashkëpunimin reciprok do të arrihej inkorporomi i të gjitha ideve dhe vërejtjeve përkatëse në Stratëgjinë finale për Digjitalizim në Kosovë, e cila duhet sa më parë të procedohet në drejtim të miratimit nga Kuvendi i Kosovës. 

KPM-ja shpreh bindjen për mirëkuptimin e të gjitha mediumeve transmetuese dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe fton të gjitha palet me interes të bashkëpunojnë me KPM-në, për ta finalizuar sa më suksesshëm procesin e digjitalizimit që është njëri nga projektet më të rëndësishme për Republikën e Kosovës.
 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE