Të licencuarit
3031 - Lajmi_i_plot | KPM

NJOFTIM NGA MBLEDHJA E KOMISIONIT TË PAVARUR TË MEDIAVE

06 February 2019

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 31 janar 2019 nën udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Muja FERATI,  ka mbajtur  mbledhjen e parë rregullt për vitin 2019. 

Fillimisht Komisioni miratoi  agjendën e mbledhjes dhe pastaj procesverbalin nga mbledhja e fundit.

Në vazhdim të mbledhjes  KPM ka  shqyrtuar Raportin Tremujor tetor – dhjetor 2018 për punën e KPM-së. Pas shqyrtimit Komisioni miratoi raportin për t’u përcjell në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurës duke u bazuar në obligimin ligjor që del nga neni 15 i Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Komisioni shqyrtoi disa raste  ligjore që kishin të bëjnë shkelje të legjislacionit të KPM-së respektivisht shkelje e Kodit te Etikes së KPM-së,  Rregullores KPM-2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale dhe Rregullores për të Drejtën e Autorit. Lidhur me shkeljen e Kodit te Etikes së KPM-së u shqyrtua një rast:

-RTK 1 – ankesë nga z.Milaim Sejdinit kundër RTK1 për shkelje të Kodit te Etikes. Komisioni ka shqyrtuar rastin, ku janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat ligjor, prandaj pas shqyrtimit Komisioni vendosi: Urdhërohet RTK 1 që në afat prej shtatë (7) ditësh t’i ofrojë Palës Ankuese të drejtën për t’u deklaruar në lidhje me kroniken “Përmirësimet në Arsim" në mënyrë që Palës t’i sigurohet një prezantim objektiv dhe korrekt, ashtu siç përcaktohet me nenin 6, paragrafi 7, të  Kodit të Etikës KKPM-2016/03. Sanksionohet RTK 1 me gjobë në vlerën prej 2,000 (dymijë) euro, në pajtim me nenin 30, paragrafi 1.3 të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 6, paragrafi 1 dhe 7 të Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës KKPM-2016/03.

Lidhur me shkeljen e Rregullores KPM-2013/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale u shqyrtuan dy raste:

-TV Vali dhe TV Puls - Pas shqyrtimit të këtyre  rasteve Komisioni i KPM-së ka ardh në përfundim se të gjitha subjektet e lartpërmendura kanë shkelur Rregulloren KPM-2013/01 për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve  në shërbimet mediale audio vizuale. Komisioni vendosi që të obligojë të gjitha subjektet e cekura që në afat prej dhjetë (10) ditësh të bëjnë kategorizimin e përmbajtjeve të cilat i transmetojnë, t’i paralajmërojnë ato para fillimit me sinjal verbal dhe akustik dhe t’i identifikojnë me simbolin përkatës vizual gjatë tërë kohëzgjatjes së tyre sipas kategorizimit të programeve të përcaktuara me Rregulloren KPM-2013/01. Gjithashtu obligohen të gjitha subjektet e cekura që, duke u bazuar në nenin 3 paragrafi 5 të Rregullores KPM-2013/01, të nxjerrë Kodin Praktik në të cilin do të përcaktojnë standardet vetërregulluese për transmetimin e programeve që mund të kenë ndikim të dëmshëm tek fëmijët dhe të miturit, dhe këtë Kod të miratuar ta sjellin në KPM brenda tridhjetë (30) ditësh. Ndërsa lidhur me shkeljet e kryera deri tani Komisioni vendosi të sanksionojë të gjitha subjektet e cekura me masën sanksionuese Vërejtje, në pajtim me nenin 30, paragrafi 1 të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 6, paragrafi 3 dhe 4 dhe nenit 7, paragrafi 1 dhe 3, të Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audiovizuale KPM 2013/01.

Lidhur me shkeljen e Rregullores KPM-2013/02 për të Drejtën e Autorit në Shërbimet Mediale Audiovizuale u shqyrtua një rast:

-Tribuna Channel - Komisioni ka shqyrtuar rastin, ku janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat ligjor, prandaj pas shqyrtimit Komisioni vendosi: Obligohet Tribuna Channel që ta ndërpresë menjëherë transmetimin e përmbajtjeve për të cilat nuk posedon marrëveshje valide të të drejtave të autorit dhe të sigurohet se një gjë e tillë nuk do të përsëritet, siç e përcakton neni 5, paragrafi 2, i Rregullores KPM-2013/02. Sanksionohet Tribuna Channel me gjobë në vlerën prej 1,000 (njëmijë) euro në pajtim me nenin 30, paragrafi 1.3 të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 4, paragrafi 1, të Rregullores KPM-2013/02 për të Drejtën e Autorit në Shërbimet Mediale Audiovizuale.

Lidhur me shkeljen e Rregullores KPM-2017/07 për Komunikimet Komerciale Audiovizuale u shqyrtua një rast:

-Tribuna Channel - Komisioni ka shqyrtuar rastin, ku janw ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat ligjor, prandaj pas shqyrtimit Komisioni vendosi: që të sanksionojë Tribuna Channel me Vërejtje, në pajtim me nenin 30, paragrafi 1 të Ligjit të KPM-së, për shkelje të nenit 10, paragrafi 1, dhe nenit 11, paragrafi 1, të Rregullores KPM-2017/07 për Komunikimet Komerciale Audiovizuale.

Gjithashtu në këtë mbledhje KPM ka trajtuar edhe disa kërkesa në rastet e licencimit:

  • Operator i Shpërndarjes EGC  – kërkesë për  ndërprerje të licencës
  • Operator i Shpërndarjes Intersat – kërkesë për  ndërprerje të licencës
  • Operator i Shpërndarjes Drinia Net – kërkesë për  ndërprerje të licencës
  • Operator i Shpërndarjes Albi@Net – kërkesë për  ndërprerje të licencës
  • Ofrues i Shërbimit Medial Aaudiovizual  American TV of Kosova – kërkesë për  licencë të OSHMA  përmes   operatorëve të shpërndarjes

Pas shqyrtimit të këtyre rasteve, Komisioni i miratoi kërkesën për  licencë të OSHMA  përmes operatorëve të shpërndarjes,  si dhe kërkesat për  ndërprerje të licencës për katër Operatorë  të Shpërndarjes.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE