3086 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM PUBLIKON RAPORTIN E MONITORIMIT TË MEDIAVE GJATË FUSHATËS PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME 2019

18 October 2019

Komisioni i Pavarur i Mediave në një konferencë për media të organizuar sot,  ka publikuar“Raportin e monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2019”.

Qëllim i monitorimit për periudhën 25 shtator deri më 6 tetor 2019, ishte vlerësimi i performancës së OSHMA-ve në pajtim me Kreun VIII të këtij Ligji, të titulluar “Mediat gjatë Fushatës së Zgjedhjeve”, si dhe Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së. Ky raport është realizuar nga Departamenti i Monitorimit dhe Analizës (DMA) i Zyrës Ekzekutive dhe prezanton të gjeturat nga monitorimi i OSHMA-ve gjatë mbulimit të fushatës zgjedhore dhe periudhës së heshtjes zgjedhore deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve.

Raporti prezanton të gjeturat nga monitorimi i performancës së OSHMA-ve të cilat kanë mbuluar fushatën e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në monitorim janë përfshirë shtatëmbëdhjetë (17) ofrues të shërbimeve mediale audio-vizuele, prej të cilëve:

  • Tri (3) me mbulim tokësor nacional (RTK1, KTV dhe TV21);
  • Nëntë (9) OSHMA me mbulim tokësor lokal/regjional (TV Dukagjini, TV Puls, TV Herc, TV Opinion, TV Besa, TV Vali, TV Most, TV Mitrovica dhe TV Iliria); dhe
  • Pesë (5) OSHMA me program gjeneralistik që transmetohen përmes operatorëve të shpërndarjes (RTK2, Klan Kosova, TE7, Rrokum TV dhe TV Gracanica).

Gjatë procesit të monitorimit, në fokus ishin të gjitha format e prezantimit medial të fushatës zgjedhore si: edicionet e lajmeve, pikat politike reklamuese, kronikat zgjedhore dhe intervistat e debatet e transmetuara nga ora 16:00 deri në orën 24:00.

Këtu mund të gjeni raportin e plotë.

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE