3234 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim - hyn në fuqi Rregullorja për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele KPM-2020/01

04 November 2020

Komisioni i Pavarur i Mediave njofton të gjithë të licencuarit, palët e interesuara dhe publikun se prej datës 3 nëntor 2020, hyn në fuqi Rregullorja për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele KPM-2020/01.

Në mbledhjen e mbajtur me datë 30 tetor 2020, KPM ka miratuar amandamentimin e  Rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele.

KPM duke u bazuar në nenin 3, paragrafi 2, pika 11 e Ligjit për  KPM,  ka iniciuar procedurën për amandamentimin e Rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele KPM-2016/01.

Siç parashihet me procedurat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar (neni 8 i Ligjit për KPM-në, Ligji Nr. 04/L-44), KPM në pajtim me Ligjin, ka vendosur në diskutim publik draftin e amandamentuar të rregullores, ku të gjitha palët e interesuara kanë pasur mundësinë të japin komentet/vërejtjet  e tyre me shkrim lidhur me draftin e Rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele. Konsultimi publik ka filluar më 3 shkurt 2020 dhe ka zgjatur deri me 30 prill 2020. Pas pranimit të komenteve publike, KPM  ka  shqyrtuar  të gjitha komentet dhe ato që kanë qenë të bazuara dhe argumentuara, i ka inkorporuar në draftin final. 

Rregullorja për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele KPM-2020/01 hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe e shfuqizon Rregulloren për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele KPM-2016/01.

Këtu mund të gjeni Memon Sqaruese.

Komisioni i Pavarur i Mediave