31 January 2018
Më 30 janar 2018 Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), mbajti mbledhjen e parë të rregullt për vitin 2018, nën udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z. Adnan MEROVCI.
Pas miratimit të agjendës, u miratua procesverbali nga mbledhja e kaluar.
Në vazhdim të mbledhjes KPM ka shqyrtuar Raportin Tremujor tetor – dhjetor 2017, për punën e KPM-së. Pas shqyrtimit Komisioni miratoi Raportin për t’u përcjell në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurës duke u bazuar në obligimin ligjor që del nga neni 15 i Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Komisioni gjithashtu shqyrtoi edhe një rast ligjor, ankesa e operatorit të shpërndarjes IPKO TELECOMMUNICATIONS, ndaj operatorit të shpërndarjes ARTMOTION për ritransmetimin e përmbajtjeve programore pa të drejtë të transmetimit. Pas shqyrtimit të ankesës Komisioni vendosi që në pajtim me nenin 5, paragrafi 3, të Rregullores KPM-2016/01, të urdhërojë operatorin e shpërndarjes ARTMOTION të ndërpresë menjëherë transmetimin e kanalit KLAN TV.
Në këtë mbledhje Komisioni ka shqyrtuar edhe përcaktimin e objektivave të KPM-së për vitin 2018.
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE