02 December 2014
Një delegacion i Autoriteti të Mediave Audiovizive të Republikës së Shqipërisë (AMA), të kryesuar nga z. Gentian SALA, kryetar, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) të Kosovës. Delegacionin nga Shqipëria e priti kryetari i Komisionit të KMP-së, z. Adnan MEROVCI i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të Komisionit dhe të Zyrës Ekzekutive.
Zyrtarët më të lartë të dy autoriteteve rregullative të sferës audio-vizuele të dy vendeve përkatëse shqyrtuan hapësirat dhe mundësitë e ngritjes së bashkëpunimit reciprok, sidomos rreth procesit të digjitalizimit tokësor të mediave audio-vizuale.
Meqenëse Kosova ende nuk është anëtare e ITU-së (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit), kryetari i KPM-së i kërkoi homologut të tij, që të adresojë sfidat e trashëguara të Kosovës lidhur me planin frekuencor digjital tokësor, duke qenë se Shqipëria është anëtare e këtij mekanizmi ndërkombëtar.
Përfaqësuesit e të dy autoriteteve u zotuan që bashkëpunimin në fushën e rregullimit të shërbimeve mediale audio-vizuele, ta konkretizojnë me një marrëveshje bashkëpunimi në të ardhmen.
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE