Të licencuarit
2523 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM DORËZOI DRAFT STRATEGJINË “KALIMI I TRANSMETIMIT ANALOG NË ATË DIGJITAL NË REPUBLIKËN E KOSOVËS” NË QEVERINË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

24 December 2012

 

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), dorëzoi Draft Strategjinë “KALIMI I TRANSMETIMIT ANALOG NË ATË DIGJITAL NË REPUBLIKËN E KOSOVËS” Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë draft strategji KPM ka ofruar propozime që fuqizojnë interesin maksimal, në radhë të parë, të Kosovës, interesin e akterëve të industrisë mediale dhe zhvillimin e pluralizmit medial.

Propozimet e paraqitura në këtë draft strategji mbështeten në udhëzimet themelore të Komisionit Eurpoian, që kanë të bëjnë me respektimin e lirisë së shprehjes, rregullimit të konkurrencës dhe krijimit të një tregu të shëndoshë medial.

Gjithashtu, në këtë draft strategji vëmendje e veçantë i është kushtuar ngritjes së nivelit profesional, sasisë dhe cilësisë së programeve, të cilat do të jenë në interes për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës. 

Gjatë hartimit të kësaj strategjie kemi qenë të penguar për faktin se Republika e Kosovës nuk është anëtare e ITU-së. Në konferencën ndërkombëtare GE-06, ku është bërë planifikimi frekuencor për transmetim digjital, Kosova nuk ka marrë pjesë për shkak të statusit të saj politik. Për këtë arsye, KPM-ja ka realizuar një plan alternativ nga ai që është përcaktuar në GE-06, përmes të cilit plotësohen të gjitha nevojat për veprim të shërbimeve mediale audiovizuele, e që njëkohësisht ofron mbulim të territorit deri në 95%. Në këtë mënyrë, konsiderojmë se të gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë qasje në informim.

Gjatë hartimit të Draft Strategjisë rol kyç kanë pasur ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësuesit e subjekteve transmetuese, përfaqësues nga shoqëria civile, përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, si dhe  përfaqësues të komuniteteve, që jetojnë në Kosovë. 

Rëndësi të veçantë në finalizimin me sukses të këtij drafti, kanë pasur padyshim edhe vizitat studimore, të realizuara nga KPM-ja në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, të cilat kanë shërbyer lidhur me analizimin dhe krahasimin e zgjidhjeve praktike të atyre vendeve, për realizimin me sukses të digjitalizimit.

Ky draft i strategjisë për digjitalizim ofron zgjidhje më adekuate për zhvillimin e sektorit medial në Republikën e Kosovës, duke i ofruar qytetarëve të saj shërbime cilësore mediale audiovizuele, si dhe duke qenë në hap me zhvillimet e fundit teknologjike në këtë fushë.

Gjithashtu, ky draft i strategjisë parasheh zhvillim edhe tek të licencuarit aktual, të cilët do të kenë mundësi të arrijnë synimet e tyre për të qenë sa më profesional dhe konkurrent, ku nëpërmjet standardeve programore të përcaktuara në këtë draft, ata do të kenë hapësirë dhe fushëveprim më të madh në tregun medial të Republikës së Kosovës, por edhe më gjerë.

Përveç hartimit të draft strategjisë Zyra Ekzekutive dhe anëtarët e KPM-së janë fokusuar edhe në zgjidhjen e kërkesave të shumta:

-Rishikimi i akteve nënligjore, ashtu siç parashihet me ligjin e KPM-së;

  • Rregullore për Komunikimet Komerciale Audio-vizuele
  • Rregullore për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio-vizuele
  • Rregullore për të Drejtën e Autorit
  • Rregullore e KPM-së për Dhënien e Licencës
  • Pjesa 1 - Kushtet dhe Termet e Përgjithshme të Licencës së KPM-së

Këto ditë KPM është duke punuar me përkushtim edhe për plotësimin e rregullores për Operator Kabllor. Në këtë kontekst kemi konsultuar edhe ekspertë ndërkombëtar, që kjo fushë të rregullohet në mënyrë të detajuar. Kjo për shkak se platforma kabllore është në zhvillim e sipër si teknologji. Në këtë proces, do të ftohen për të kontribuar të gjithë akterët që përfshihen në këtë veprimtari.

Gjithashtu, KPM në bazë të obligimeve ligjore, ka licencuar 9 Ofruesve të Shërbimeve Programore dhe një operator kabllor si dhe ka trajtuar edhe rastet të cilat janë grumbulluar për një periudhë për më shumë se dy vite, në mungesë të organit vendim-marrës të këtij institucioni.

 KOMISIONI I PAVARUR I MEDIA