Të licencuarit
3284 - Lajmi_i_plot | KPM

KOMUNIKATË PËR MEDIA

22 January 2021

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), inkurajon të gjithë të licencuarit që të veprojnë në pajtim me Rregulloren për Komunikimet Komerciale Audiovizuale KPM 2017/07, përkatësisht nenit 2, paragrafi 2 i cili thekson se: “Komunikimet komerciale audiovizuele politike lejohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore, në pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret relevante”.

Sipas nenit 14, paragrafi 5, të kësaj Rregulloreje përcaktohet që: Partitë politike dhe koalicionet nuk do të jenë sponsorë të programeve audio-vizuale përveç gjatë kohës së promovimit zgjedhor në pajtim me një akt të veçantë”. Ndërsa, paragrafi 6 i këtij neni përcakton se: Ndalohet reklamimi i partive politike, koalicioneve dhe anëtarëve të pavarur të organeve përfaqësuese, përveç gjatë kohës së promovimit zgjedhor në pajtim me një akt të veçantë”.

Duke pasur parasysh obligimet ligjore dhe me qëllim të zbatimit të Rregullores për Komunikime Komerciale Audiovizuale KPM2017/07, KPM i udhëzon të gjithë të licencuarit e KPM-së që të përmbahen nga transmetimi i të gjitha formave të komunikimeve komerciale politike jashtë periudhës së fushatës zgjedhore, përfshirë këtu mos transmetimin e reklamimit politik dhe sponsorizimet e programeve nga ana e partive politike. 

Fushata zgjedhore fillon nga data 3 deri më 12 shkurt 2021.

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE