Të licencuarit
3290 - Lajmi_i_plot | KPM

KOMUNIKATË PËR MEDIA

03 February 2021

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) fton të licencuarit e KPM-së të angazhohen për të kontribuar me profesionalizëm në mbulimin e fushatës elektorale të Zgjedhjeve të Përgjithshme të datës 14 shkurt 2021, duke pas parasysh rëndësinë e raportimit të drejtë dhe të paanshëm duke ndikuar drejtpërdrejtë në forcimin e demokracisë në vendin tonë.

Deri në përfundim të procesit zgjedhor, KPM udhëzon të licencuarit që:

  • të angazhohen në edukimin e votuesve për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike;
  • të ofrojnë mundësi për publikun për të paraqitur shqetësimet, opinionet dhe nevojat e tyre tek përfaqësuesit e partive politike dhe të ofrojnë mundësi të interaktiviteti;
  • të raportojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme lidhur me zhvillimet e procesit zgjedhor;
  • të ofrojnë mundësi për promovimin e platformave politike të partive politike në garë, përmes formave të ndryshme të programeve;
  • të jenë të vëmendshëm sa i përket gjuhës së përdorur në përmbajtjet programore dhe të ndërmarrin veprime të duhura për evitimin e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme, ofenduese dhe gjuhës së urrejtjes, në të gjitha programet e transmetuara.

KPM udhëzon të licencuarit të sigurohen se përmbajtja programore e transmetuar është në pajtim me Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuale, duke respektuar parimet etike, mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të njeriut. Gjithashtu, udhëzojmë të gjithë të licencuarit që të veprojnë në pajtim të plotë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së, me theks të veçantë në përmbushjen e obligimeve që parashihen me kornizën ligjore.

Sa i përket reklamimit politik, të licencuarit duhet të veprojnë në pajtim me legjislacionin në fuqi, veçanërisht sa i përket përmbajtjes, kohëzgjatjes së tyre, identifikimit të tyre (me apo pa pagesë), duke përfshirë këtu edhe emrin e organizatës ose individin përgjegjës për të. Poashtu, OSHMA-të duhet të kenë kujdes në respektimin e Kodit të Etikës, duke mos përfshirë fëmijët në spotet promovuese politike.

Me qëllim të evitimit nga çfarëdo lloj ndikimi negativ në procesin zgjedhor, është e domosdoshme që të licencuarit të jenë të vëmendshëm gjatë heshtjes zgjedhore, posaçërisht gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta të përmbajtjeve programore, ku ekziston mundësia e keqpërdorimit të hapësirës së ofruar, qoftë nga kandidatët e subjekteve politike apo pjesëmarrësit në programe, për të bërë thirrje apo promovim për ndonjë partie politike.

Prandaj, në këtë proces zgjedhor të jashtëzakonshëm, udhëzohen të gjithë të licencuarit që të mos ndikohen nga partitë politike apo individë të caktuar, që do ta dëmtonin procesin zgjedhor, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

 

KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE