Të licencuarit
3422 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM publikon Raportin e Monitorimit të mediave gjatë fushatës për Zgjedhjet Lokale 2021

02 November 2021

Komisioni i Pavarur i Mediave në një konferencë për media të organizuar sot,  ka publikuar “Raportin e monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2021”.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është përgjegjës për zbatimin e Kreut VIII të Ligjit Nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton në mënyrë specifike dispozitat për “Mediat gjatë Fushatës së Zgjedhjeve”. Prandaj qëllim i monitorimit, për periudhën 16 shtator deri më 17 tetor 2021, ishte vlerësimi i performancës së OSHMA-ve në pajtim me Kreun VIII të Ligjit për Zgjedhje, të titulluar “Mediat gjatë Fushatës së Zgjedhjeve”, si dhe Ligjin dhe aktet nënligjore të KPM-së. Ky raport është realizuar nga Departamenti i Monitorimit dhe Analizës (DMA) i Zyrës Ekzekutive dhe prezanton të gjeturat nga monitorimi i OSHMA-ve gjatë mbulimit të fushatës zgjedhore dhe periudhës së heshtjes zgjedhore deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve. 

Në monitorim janë përfshirë njëzet e dy (22) OSHMA, prej të cilëve:

  • Tre (3) me mbulim tokësor nacional (RTK1, KTV dhe TV21); 
  • Katërmbëdhjetë (14) me mbulim tokësor lokal/regjional (TV Liria, TV Festina, TV Prizreni, TV Besa, TV Mitrovica, TV Puls, TV Tema, TV Vali, TV Mir, TV Dukagjini, TV Syri, TV Herc, TV Most, TV Iliria); dhe 
  • Pesë (5) me program gjeneralistik që transmetohen përmes operatorëve të shpërndarjes (RTK2, Kanal 10, ATV, Klan Kosova dhe TE7). 

Dy OSHMA me mbulim tokësor lokal/regjional (TV Zoom dhe TV Opinion) nuk janë të përfshira në monitorim, pasi që nuk kanë qenë në transmetim për shkaqe teknike.  

Gjatë procesit të monitorimit, në fokus ishin të gjitha format e prezantimit medial të fushatës zgjedhore si: edicionet e lajmeve, pikat politike reklamuese, kronikat zgjedhore dhe intervistat e debatet e transmetuara nga ora 16:00 deri në orën 24:00. Zyrtarët e Departamentit të Monitorimit dhe Analizës (DMA) gjatë periudhës monitoruese kanë vlerësuar: paanshmërinë në raportim, hapësirën e ofruar për SCP-të, gjuhën e përdorur dhe, në përgjithësi, pajtueshmërinë me Udhëzuesin e KPM-së për Sjelljen e Mediave gjatë Zgjedhjeve dhe aktet tjera nënligjore përkatëse të KPM-së. Nga të gjeturat e monitorimit rezulton se prezantimi i fushatës për zgjedhjet nga OSHMA-të, ishte kryesisht objektiv dhe i paanshëm, në pajtim me dispozitat për media në Ligjin për Zgjedhje dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio-Vizuele.  Ndërsa gjatë periudhës zgjedhore në KPM janë adresuar katër (4) ankesa.

Raportin e plotë mund të gjeni Këtu.

 

Komisioni i Pavarur i Mediave