Të licencuarit
3439 - Lajmi_i_plot | KPM

U mbajt trajnim për monitorimin e fushatave zgjedhore në shërbimet mediale audio-vizuale

10 December 2021

Në kuadër të projektit të “Lehtësimit Horizontal II për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, u mbajt trajnim dy ditor për monitorimin e fushatave zgjedhore në shërbimet mediale audio-vizuale, për zyrtarët e KPM-së.

Trajnimi synon pajisjen e zyrtarëve të KPMsë, në veçanti stafit të Departamentit të Monitorimit dhe Analizave dhe Departamentit Ligjor me njohuri dhe informacione shtesë dhe plotësuese për standardet ligjore vendore në fushën e monitorimit të zgjedhjeve dhe mjete për ushtrimin e përgjegjësive të tyre.

Janë diskutuar çështjet për shkeljen e rregullave të heshtjes zgjedhore dhe mënyrën e identifikimit të rasteve të tilla si dhe aspektet  tjera politike, ligjore dhe rregullatore sa i përket heshtjes zgjedhore.

Për më tepër, mes pjesëmarrësve dhe ekspertëve të Këshillit të Evropës është diskutuar një përmbledhje e rregullave në fuqi në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe shembuj konkretë se si rregullohet reklamimi me pagesë.

Ky trajnim ka trajtuar gjithashtu edhe dezinformimin dhe keqinformmin gjatë periudhës zgjedhore, çrregullimin e informacionit në mjedisin dixhital si dhe implikimet e tij në fushatat politike/zgjedhore. Ekspertët kanë shtjelluar gjithashtu ndikimin e mediave sociale dhe internetit në proceset zgjedhore dhe sfidat e monitorimit.

Ky trajnim është pjesë e projektit të “Lehtësimit Horizontal II për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një iniciativë bashkëpunimi e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe e zbatuar nga Këshilli i Evropës.  Projekti synon të ndihmojë Përfituesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi të jenë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe acquis të Bashkimit Evropian në kuadrin e procesit të zgjerimit, në fushat relevante.