Të licencuarit
3448 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe IMK publikuan dy Raporte Monitorimi lidhur me përfaqësimin e fëmijëve dhe përfaqësimin gjinor në media

24 December 2021

Komisioni i Pavarur i Mediave,  Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP) dhe Instituti i Mediave të Kosovës (IMK), sot u organizuan tryezë diskutimi lidhur me përfaqësimin e fëmijëve dhe përfaqësimin gjinor në media.

Në kuadër të bashkëpunimit të KPM-së me Departamentin e Gazetarisë, IMK-në dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë,  janë realizuar dy hulumtime lidhur përfaqësimin e fëmijëve dhe përfaqësimin gjinor në media: 1. “Monitorimi i paraqitjes së grave në debatet televizive gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2021” dhe 2. “Prezantimi i fëmijëve dhe të miturve në mediat në Kosovë”.  Raportet e monitorimit janë kryer nga katër studentë të Departamentit të Gazetarisë, të cilët kanë monitoruar mediat në baza ditore, në zyrën e KPM-së.

 Kjo tryezë diskutimi u organizua me qëllim të prezantimit të të gjeturave nga këto hulumtime, të cilat ishin subjekt i diskutimit si dhe janë një mundësi për ofrimin e pikëpamjeve dhe rekomandimeve të palëve të interesit të fushës së medias. Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues nga KPM, Departamenti i Gazetarisë në UP, IMK, Save the Children, Agjencia për Barazi Gjinore, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe OSBE-ja.

Në kuadër të raportit të parë “Monitorimi i paraqitjes së grave në debatet televizive gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2021” u prezantua metodologjia e punës së hulumtimit, gjetjet kryesore të monitorimit të mediave si dhe përfundimet. Në pika kryesore këto janë përfundimet e raportit:

përfaqësimi i gruas në emisionet elektorale në televizionet e monitoruar ka qenë i vogël, pjesëmarrja e numrit të grave në emisionet elektorale në televizione ka qenë simbolik, numri i grave të përfaqësuara nga subjektet politike ka qenë i vogël, në raport me burrat e ftuar, në shumicën e rasteve kur gratë kanë qenë të ftuara në emisione e kanë pas kohën e kufizuar vetëm deri në 5 minuta, në shumicën e rasteve në emisione temat si të shëndetësisë, drejtësisë, korrupsionit, punësimit etj, nuk kanë qenë temat kryesore që janë trajtuar nga gratë dhe vetëm në temat për të drejtat e grave dhe për arsimin kanë dominuar me gratë të ftuara në emisione.

Në kuadër të raportit të dytë “Prezantimi i fëmijëve dhe të miturve në mediat në Kosovë” u prezantua metodologjia e punës së hulumtimit, gjetjet kryesore të monitorimit të mediave si dhe përfundimet. Në pika kryesore këto janë përfundimet e raportit: shumica e televizioneve nuk ofrojnë përmbajtje të mjaftueshme të prezantimit të fëmijëve dhe të miturve në skemën e tyre të edicioneve informative, Televizioni Publik i Kosovës (RTK1) ofron hapësirë jashtëzakonisht të kufizuar temave që trajtojnë problemet e fëmijëve dhe të miturve, kronikat në të cilat diskutohen problemet e fëmijëve zakonisht renditen në fund të edicioneve, që nënkupton kanë relevancë më të vogël të trajtimit, kronikat e fushës së arsimit janë ato që i dominojnë kronikat për fëmijë por mbetet i lartë përdorimi i fëmijëve në kontekstin politik, në shumicën e kronikave televizive shfaqen pamjet e fëmijëve, në një pjesë të madhe të kronikave televizive shfaqet identiteti i fëmijëve dhe në shumicën e kronikave të monitoruara nuk ka pasur deklarata të fëmijëve.