07 April 2023
Komisioni i Pavarur i Mediave ka pritur në një vizitë pune përfaqësues nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Kjo vizitë ishte në vazhdën e takimeve të përbashkëta me qëllim shkëmbimin eksperiencave sa i përket procesit të hartimit dhe amandamentimit të legjislacionit primar dhe sekondar.
Drejtuesit e të dyja institucioneve dhe ekipet e tyre diskutuan lidhur me angazhimet aktuale të të dy rregullatorëve, sa i përket procesit të harmonizimit të legjislacionit primar dhe pastaj atij sekondar me aquis të BE-së, konkretisht me Direktivën e re për Shërbimet Mediale Audiovizuele 2018/1808.
Temat e diskutuara në takim ishin lidhur me rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm në mes të KPM-së dhe AMA-s dhe propozimet për aktivitete tjera të mundshme në kuadër të këtij formati të bashkëpunimit.
Theksi kryesor i këtij takimi ishte çështja e transpozimit të Direktivës për Shërbime Mediale Audiovizuele (AVMSD) dhe sfidat të cilat na presin për implementimin e kësaj direktive. Ligji për KPM-në është aktualisht në proces amandamentimi, me qëllim të harmonizimit me direktivën e lartpërmendur. Por pas miratimit të ligjit, KPM nevojitet që të harmonizojë edhe të gjitha rregulloret me ligjin e ri, në frymën e Direktivës AVMS dhe për këtë çështje synohet që të merren si model përvojat me të suksesshme.
Në takim u diskutua edhe lidhur me kapacitetet aktuale teknike dhe njerëzore të rregullatorëve dhe nevoja e rritjes së këtyre kapaciteteve konform zhvillimeve të hovshme teknologjike në fushën e medias.
Gjithashtu pjesëmarrësit gjatë takimit diskutuan edhe për rregullat e Kodit Etik/Kodit të Transmetimit dhe zbatimin e tyre nga ana e mediave si dhe edukimin medial si proces shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm e që duhet të ngritët vazhdimisht, në korrelacion me shfaqjen e formave të reja teknologjike në ofrimin e informacionit.