Të licencuarit
3580 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

23 June 2023

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), më 23 qershor 2023, në  udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhje e tretë të rregullt për këtë vit, ku ka miratuar buxhetin vjetor, ka licencuar dy operator të shpërndarjes, ua ka vazhduar licencat shtatë mediumeve dhe ka filluar procedurat për licencimin e dy radiove në gjuhën e komuniteteve jo shumicë.

Pas raportimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar buxhetin për vitin 2024, gjegjësisht kërkesën për financim të Komisionit të Pavarur të Mediave për Kornizën Afatmesme 2024-2026. Kërkesa i drejtohet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, dhe mes tjerash parasheh edhe tri projekte kapitale, atë për sistemin elektronik e-KPM, atë për përditësimin e sistemit digjital për menaxhimin e frekuencave dhe atë për përditësimin e sistemit për monitorimin e mediave, e që në total kanë një kosto të përafërt prej 1,308,000 euro. Buxheti i vitit 2024 përmban edhe kërkesën për punësime të reja shtesë prej 27 pozitave. Nevojat për rritje të stafit janë si rezultat i shtimit të kompetencave dhe përgjegjësive të KPM-së.  

Në kuadër të kërkesave për ripërtërije të licencave, Komisioni ka shqyrtuar gjithsej 11 raste të ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audiovizuele. Në këtë rast Komisioni ka marr vendim për ripërtëritjen e licencës së Radio Prishtina, K – Sport 1K – Sport 2, K – Sport 3, K – Sport 4, K – Sport 5 dhe Turbo Channel. Komisioni ka marr vendim për licencimin edhe të dy operatorëve të shpërndarjes sipas platformave kabllore dhe IPTV e që janë: VALNET Sh.p.k., dhe Negenet Sh.p.k.

Në këtë mbledhje Komisioni ka marr vendim për themelimin e dy komisioneve për vlerësimin e aplikacioneve për licencë të KPM-së për dy radio (Vendim1 dhe Vendim2), një radio në gjuhën boshnjake në Komunën e Pejës dhe një radio në gjuhën turke në Komunën e Prizrenit. Komisioni nuk i ka miratuar kërkesat për ripërtëritje të licencës për subjektet të cilat nuk e kanë paguar tarifën e licencës në vitet paraprake. KPM është në shqyrtim të mekanizmave për mbledhjen e borxhit nga subjektet e licencuara, i cili sillet në rreth 778 mijë euro.