27 June 2023
Komisioni i Pavarur i Mediave sot ka prezantuar Raportin Vjetor 2022 para Komisionit Parlamentar për Media. Prezantimi është bërë nga Kryetari i KPM-se z. Jeton Mehmeti, i cili i njoftoi deputetët mbi aktivitetet e KPM-së gjatë vitit 2022, shpenzimet buxhetore dhe rezultatet e arritura në përgjithësi. Aktivitetet e KPM-se kanë qenë të ndërlidhura me objektivat strategjike e që janë: promovimi i pluralizmit medial, rritja e transparencës në pronësinë e mediave, mbrojtja e publikut nga dezinformimi, përdorimi efiçent i frekuencave dhe përmirësimi i mirëqeverisjes institucionale.
Përveç trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me kërkesat për licencim e ndryshim të pronësisë, mosrespektim të Kodit të Etikës dhe rregulloreve në fuqi, gjatë vitit 2022 KPM ka kontribuar edhe në draftimin e ligjit të ri për KPM-në si dhe në plotësim-ndryshimin e rregullores për mbrojtjen e fëmijëve dhe rregullores për komunikime komerciale audiovizuele.
Duke miratuar edhe planin e frekuencave, gjatë vitit të kaluar KPM ka ndërmarrë iniciativën për koordinim me shtetet fqinje mbi frekuencat nacionale. Po ashtu KPM ka pas një pjesëmarrje aktive në nismat rajonale dhe evropiane të autoriteteve rregullative.
Buxheti i KPM-së për vitin 2022 ka qenë 1,028,065 euro, nga të cilat ka shpenzuar 739,508 euro. Nga tarifat e licencës dhe gjobave, KPM ka realizuar të hyra në vlerë 315,845 euro. Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka gjetur asnjë shkelje në auditimin e financave.
Përveç Kryetarit Mehmeti, edhe anëtarët tjerë të KPM-së: z. Besnik Berisha, znj. Luljeta Aliu, z. Fatih Basha, znj. Azra Desic si dhe ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv z. Faruk Rexhaj, u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve nga Komisioni Parlamentar për Media.