Të licencuarit
2315 - Lajmi_i_plot | KPM

NJOFTIM PËR AFATET E SKADIMIT TË LICENCËS SË LËSHUAR NGA KPM DHE PËR PROCEDURAT PËR RIPËRTËRITJE TË LICENCËS

12 May 2016

 

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka zhvilluar procesin e licencimit afatgjatë për shërbimet mediale audiovizuale (Radio dhe TV) në vitin 2009 dhe 2010. Ky proces, i përcaktuar me Ligjin e KPM-së, pas pasur për qëllim të bëjë zëvendësimin e licencave të përkohshme, të lëshuara nga paraardhësi i KPM-së - Komisioneri i Përkohshëm për Media, me licencat e reja të lëshuara nga Komisioni i Pavarur për Media.

Afatshmëria e licencës për shërbimet mediale audio (Radio) është përcaktuar në paragrafin 2 të Nenit 21 të Ligjit të KPM-së Nr. 04/L-44 që të jetë e vlefshme për një afat shtatë (7) vjeçar. Prandaj, gjatë vitit 2016 do të skadojë afati i licencave të KPM-së për 61 shërbyes medial audio (radio) të cilët janë licencuar në vitin 2009. 

Të gjithë të interesuarit për të vazhduar me aktivitetin e shërbimeve mediale audio pas skadimit të afatit të licencës, duhet të paraqesin kërkesën e tyre në KPM për të përtërirë licencën. E drejta e ripërtëritjes dhe afatet për të bërë kërkesën për ripërtëritje të licencës së KPM-së janë përcaktuar me Nenin 25 të Ligjit të KPM-së, i cili thekson:

 

“Përveç rasteve kur KPM-ja konsideron se licenca nuk duhet të ripërtërihet për shkak të shkeljes së dispozitave materiale nga ana e ofruesit të shërbimit medial audiovizuel privat për sa u përket kushteve dhe kritereve të licencimit, kandidati ka të drejtë të kërkojë përtëritjen e licencës nga Zyra Ekzekutive brenda gjashtë (6) muajve para skadimit të datës së licencës ekzistuese dhe minimum gjashtëdhjetë (60) ditë para skadimit të licencës”.

Prandaj, KPM udhëzon të gjithë pronarët e të licencuarve për radio që brenda afatit të përcaktuar me nenin 25 të Ligjit të KPM-së, të parashtrojnë në Zyrën Ekzekutive të KPM-së kërkesën për ripërtëritje të Licencës së KPM-së. Në të kundërtën, pas përfundimit të afatit të përcaktuar në Licencën e lëshuar nga KPM në 2009, ato do të konsiderohen të pavlefshme, që nënkupton edhe përfundimin e ushtrimit të aktivitetit me shërbimet mediale audio.

Për çdo sqarim shtesë, ju lutem të mos hezitoni të drejtoheni në Zyrën Ekzekutive të KPM-së.