Të licencuarit
3410 - Lajmi_i_plot | KPM

U mbajt takimi ndërinstitucional në kuadër të bashkëpunimit për procesin zgjedhor

15 October 2021

Sot me 15 tetor 2021 u mbajt konferenca e përbashkët për media nga të gjitha institucionet nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit për Procesin Zgjedhor, në lidhje me përgatitjen e institucioneve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Konferenca u mbajt në kuadër të Memorandumit, pjesë e të cilit janë gjashtë institucione: Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ); Policia e Kosovës (PK); Prokurori i shtetit (PSh); Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).

Kryetari i KPM-së z. Xhevat Latifi, ka marrë pjesë në këtë konferencë të përbashkët mes të gjitha institucioneve të lartcekura. Me këtë rast, përfaqësues të institucioneve përkatëse apeluan subjektet politike dhe qytetarët e Republikës të Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat zgjedhore që janë në fuqi, në mënyrë që të kemi një proces të lirë zgjedhor. Kryetari Latifi, theksoi se KPM është duke monitoruar mediat gjatë tërë procesit zgjedhor, ndërsa bëri thirrje që mediat të raportojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, duke shmangur shkeljet ligjore, sidomos gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore.

Komisioni i Pavarur i Mediave, duke u bazuar në Kreun VIII të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, është i mandatuar të bëjë mbikëqyrjen e mediave gjatë mbulimit të fushatës zgjedhore dhe heshtjes zgjedhore, për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me Ligjin për zgjedhjet dhe aktet nënligjore të KPM-së. KPM, për të ndihmuar të licencuarit që të veprojnë në pajtueshmëri me Kreun VIII të Ligjit për Zgjedhje, para fillimit të fushatës zgjedhore, më 7 shtator 2021, ka njoftuar të licencuarit për mbajtjen e fushatës zgjedhore si dhe ka përcjell tek të licencuarit Udhëzuesin e KPM-së për Sjelljen e Mediave gjatë Zgjedhjeve. KPM gjatë monitorimit të mediave si fokus ka përfaqësim e barabartë dhe të drejtë të subjekteve politike dhe kandidateve të cilët garojnë zgjedhjet lokale. Në përgjithësi trajtimi nga ana e mediave ka qenë korrekt dhe i barabartë, duke reflektuar paraqitje pluralistike të pikëpamjeve politike në emisionet e caktuara. KPM, në lidhje me shkeljet e evidentuara ka proceduar sipas dispozitave ligjore në fuqi, duke kërkuar nga të licencuarit që të veprojnë në pajtueshmëri me obligimet ligjore që dalin nga Kreu i VIII i Ligjit për Zgjedhjet dhe aktet nënligjore të KPM-së. Për subjektet të cilat kanë vazhduar të jenë në shkelje të dispozitave ligjore, KPM është në proces të vendimmarrjes ku do të shqiptohen masat e parapara ligjore.

Konferenca u organizua nga Instituti Demokraci për zhvillim (D4D).

Komisioni i Pavarur i Mediave