Të licencuarit
3419 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM dhe Departamenti i Gazetarisë në UP organizuan tryezë diskutimi me temën Anchor “Edukimi Medial/Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”

25 October 2021

Me rastin e Javës Globale për Edukimin mbi Median dhe Informacionin, javë kjo që shënohet çdo vit nga UNESCO, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, organizuan një tryezë diskutimi me temë “Edukimi Medial/Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”.

Tryezën e moderoi Prof. Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në UP. Në panelin e diskutimit ishin pjesëmarrës: Violeta Hyseni Kelmendi - Anëtare e KPM-së, Faruk Rexhaj - Zëvendëskryeshef Ekzekutive në KPM,  Muhamet Jahiri - Shef i Departamentit të Gazetarisë, Remzie Shahini Hoxhaj - Profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë, Donejta Kelmendi - Drejtoreshë Ekzekutive e KOMF, Vjollca Shala - Nënkryetare SBASHK dhe Jeton Demi - Kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Qëllimi i tryezës ishte që në kuadër të Javës Globale për EMI, akteret të mund të paraqesin pikëpamjet e veta lidhur me edukimin medial si dhe të diskutohet progresi i shënuar në këtë fushë. Pjesëmarrësit në panelin e diskutimit paraqitën para të pranishmëve në pika kryesore pikëpamjet e tyre në lidhje me edukimin medial, duke vazhduar më pas me një diskutim interaktiv nga pjesëmarrësit dhe pyetje-përgjigjet për panelin.

Nga gjitha ato sa u diskutuan nga pjesëmarrësit në takim, përgjithësisht u pajtuan se ende nuk është arritur që të formësohet një qasje e organizimit të përbashkët në mes të institucioneve dhe organizmave përgjegjëse si: rregullatori, mediat, shkollat, këshillat e prindërve dhe institucionet tjera publike si dhe OJQ-të që e kanë fushëveprimtari mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Prandaj edhe nuk është arritur ende që të hartohet një politikë në nivel vendi për edukimin medial, e cila do të adresonte sfidat e rregullimit adekuat ligjor përkatësisht amandamentimin dhe hartimin e legjislacionit krahas ndryshimeve të hovshme teknologjike

Në fund të diskutimeve të kësaj tryeze, nga pjesëmarrësit janë nxjerrë disa konkluzione lidhur me mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme në media:

  • Inicimi i një fushate të përgjithshme vetëdijesuese për mbrojtjen e fëmijëve në media;
  • Planifikimi dhe inicimi i një fushate informuese për prindërit lidhur me të drejtat e fëmijëve si dhe mbrojtjen e tyre në media;
  • Realizmi i kërkesës që lënda e “Edukimi për Median” të futet si lëndë obligative në kurrikulën shkollore;
  • Televizioni Publik (RTK) duhet të ofrojë më shumë hapësirë programore me përmbajtje rreth edukimit medial tek pjesa për fëmijë, e me fokus të veçantë tek mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme programore;
  • Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit duhet të aktivizohen në organizimin e punëtorive, seminareve, trajnimeve për mbrojtjen e  fëmijëve në media.

Komisioni i Pavarur i Mediave