Të licencuarit
3505 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM mbajti tryezë diskutimi me rastin Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës – 1 qershori

02 June 2022

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës – 1 qershori, KPM organizoi sot një tryezë diskutimi me temën: “Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve nga përmbajtjet e papërshtatshme në media”.

Tryezën e moderoi Faruk Rexhaj - Zëvendëskryeshef Ekzekutive në KPM. Në panelin e diskutimit ishin pjesëmarrës: Granit Musliu - Anëtar i KPM-së, Remzie Shahini Hoxhaj - Profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë, Donejta Kelmendi - Drejtoreshë Ekzekutive e KOMF, Valdrin Dervishaj - Këshilltar për çështje juridike në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Jeton Demi - Kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Habit Hajredini, Zyra për Qeverisje të Mirë ZKM dhe Tringa Lajqi - Save the Children.

Qëllimi i tryezës ishte që në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës – 1 qershori, akteret të mund të paraqesin pikëpamjet e veta lidhur me raportin fëmijë-media, përmbajtjet e papërshtatshme në media, edukimin medial si dhe mënyrat e mundshme se si mund të mbrohet fëmijët nga përmbajtët e dëmshme në media.

Pjesëmarrësit në panelin e diskutimit paraqitën para të pranishmëve në pika kryesore pikëpamjet e tyre kryesisht në lidhje me edukimin medial ku një ndër çështjet kryesore është mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve në media.  U diskutua lidhur me mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme mediale, konkretisht çka konsiderohet përmbajtje e papërshtatshme mediale për fëmijët, si ndikojnë përmbajtjet e papërshtatshme tek fëmijët etj.

Pas prezantimeve të pjesëmarrësve, tryeza ka vazhduar me një diskutim interaktiv nga pjesëmarrësit dhe pyetje-përgjigjet për panelin.

Nga gjitha ato sa u diskutuan nga pjesëmarrësit, përgjithësisht u pajtuan se ende nuk është arritur që të formësohet një qasje e organizimit të përbashkët në mes të institucioneve dhe organizmave përgjegjëse si: rregullatori, mediat, shkollat, këshillat e prindërve dhe institucionet tjera publike si dhe OJQ-të që e kanë fushëveprimtari mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Prandaj nevojitet që të hartohet një politikë unike në nivel vendi për mbrojtën e fëmijëve e në këtë kuadër të futet edukimin medial dhe mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në media. Ndërsa nga përfaqësuesi i Këshillit të Prindërve është kërkuar që institucionet të shqyrtojnë edhe mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtje e dëmshme në internet, sepse krahas ndryshimeve të hovshme teknologjike sigurisht se nevojitet edhe sfida e rregullimit adekuat ligjor përkatësisht amandamentimin dhe hartimin e legjislacionit.