Të licencuarit
3567 - Lajmi_i_plot | KPM

U mbajtën pesë punëtori me nxënës të shkollave të mesme lidhur me Edukimin Medial

24 April 2023

Komisioni i Pavarur i Mediave ka vazhduar aktivitetet në kuadër të edukimit medial, në pesë punëtori me nxënës të shkollave të mesme të Kosovës. Punëtoritë janë mbajtur në këto shkolla: Gjimnazi Jeta e Re – Suharekë, Shkolla e Mesme e Ulët Ali Hadri – Pejë, Gjimnazi Gjon Buzuku – Prizren,  Gjimnazi Ulpiana – Lipjan dhe Gjimnazi Sami Frashëri – Prishtinë. Punëtoritë janë bashkë organizuar nga OSBE, Departamenti i Gazetarisë i Universitetit të Prishtinës dhe DokuFest.

Këto punëtori kishin për qëllim të promovojnë dhe ndërgjegjësojnë të rinjtë e shkollave të mesme për ndikimin e  mediave, rritjes së njohurive rreth pranimit, përdorimit, mbrojtjes dhe konsumit të përmbajtjeve mediale, zhvillimit të shprehive dhe aftësive që nevojiten për të zhvilluar mendimin kritik sa i përket përmbajtjeve në internet dhe teknologji tjera dixhitale. Të gjitha këto në funksion të mbrojtjes nga lajmet e rreme në media.

Gjatë prezantimit nga ana e KPM-së, janë ofruar informata rreth funksionimit të mediave në Kosovë, respektivisht nxënësit kishin mundësinë të marrin njohuri rreth rolit dhe mandatit të KPM-së dhe kuadrit të rregullimit ligjor të mediave nga ana e KPM-së. Ndërsa me fokus të veçantë ishte edhe sqarimi se si bëhet një ankesë ndaj mediave në KPM, forma dhe mënyra e paraqitjes së ankesave nga ana e qytetarëve.

Kësaj here përveç ligjëratave dhe prezantimeve, metodologjia e punëtorisë ka përfshirë edhe prezantimin nga ana e DokuFest e një filmi të shkurtër, që quhet The Fake News Teenager,  nga Kate Stonehill, i cili është një film i shkurtër dokumentar 14-minutesh, i krijuar si një format që eksploron disa nga pyetjet me interesant rreth falsifikimit dhe gënjeshtrave të një përmbajtje.           

Pas ligjëratave dhe prezantimeve, janë zhvilluar diskutime me nxënësit mbi rëndësinë e analizimit dhe zbërthimit të lajmeve dhe mesazheve të tjera mediatike, me theks të veçantë format e identifikimit të lajmeve të rreme dhe parandalimit të ndikimit të tyre.