Të licencuarit
3610 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM mori pjesë në Asamblenë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA)

02 October 2023

KPM ka marrë pjesë në takimin e 22-të të Asamblesë Plenare të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA). Konferenca u zhvillua në Tiranë prej 28-29 shtator 2023. Asambleja ka trajtuar tema të rëndësishme, siç janë sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik, por edhe vetë autoritetet rregullatore, tregu mediatik aktual, kanalet e reja të komunikimit të krijuara nga zhvillimi teknologjik dhe nevoja e rregullimit të tyre.

Të pranishëm në këtë event ishin krerët e enteve rregullatore të vendeve anëtare të MNRA-së, presidenti i ERGA-s, Giacomo Lasorella, përfaqësuesja e UNESCO-s, Ana Cristina Ruelas, përfaqësuesja e platformës Facebook, Marisa Jimenez Martin, përfaqësuesi i Tik-Tok, Lukasz Gabler etj. Në ditën e parë të Asamblesë, kreu i entit rregullator kroat (AEM), Josip Popovac, i ka dorëzuar kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi, presidencën e radhës së MNRA-së.

Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), që pritet të miratohet së shpejti nga Këshilli i Evropës ishte një nga temat interesante të kësaj Asambleje. EMFA është një instrument i ri shumë i dobishëm i Bashkimit Evropian për mbrojtjen e pluralizmit dhe pavarësisë së medias. Pavarësisht se ky Akt ende nuk ka hyrë në fuqi, ai fokusohet në pavarësinë e mediave, por edhe në transparencën e pronësisë së medias dhe të shpërndarjes së reklamave publike. Ai përcakton masat për mbrojtjen e pavarësisë së redaktorëve dhe zbulimin e konflikteve të interesit.

Kreu i The European Regulators Group for Audiovisual Media Services (ERGA), Giacomo Lasorella ka prezantuar efektet e teknologjisë në tregun mediatik, nevojën e përshtatjes se autoritetev rregullatore me këto ndryshime si dhe rëndësinë e miratimit të Aktit Evropian për Lirinë e Medias.

Asambleja dy ditore ka zhvilluar punime në disa panele me prezantime dhe diskutime nga pjesëmarrësit.

Në panelin e parë me temë, Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), media cilësore dhe verifikimi i fakteve merrnin pjesë, Frederic Bokobza i ARCOM France, Marisa Jimenez Martin e platformës Facebook, Anita Malenoca, anëtare e Këshillit të entit rregullator Kroat, ndërsa kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi si moderatore e këtij paneli.

Gjithashtu temë tjetër që u diskutua në panelin e dytë të Asamblesë së 22-të të MNRA-së ishte edhe nevoja e rregullimit të funksionimit të Platformave të Shpërndarjes së Videove. Në këtë panel të moderuar nga Joanna Spiteri (Maltë) diskutuan Pedro Ruivo (Portugali), Charis Tsigou (Greqi) dhe Lukasz Gabler (Tik Tok). Platformat e ndarjes së videove, një risi tjetër e ekosistemit të krijuar nga teknologjia, ajo ku u përdoruesi bëhet edhe prodhuesi i përmbajtjes, janë një nga çështjet aktuale të diskutimit për nevojën e rregullimit të tyre. Aktualisht, autoritetet rregullatore të medias, po përshtaten me detyrat dhe përgjegjësitë përballë të cilave gjenden, prandaj po zhvillojnë qasje të reja për rregullimin ligjor të VSP-ve.

Në ditën e dytë të Asamblesë është diskutuar Eksperienca e UNESCO-s në mbrojtjen e lirisë së medias, si dhe liria e shprehjes, siguria e gazetarëve, gjinia dhe media si dhe edukimi i publikut. Temat e parimeve të lirisë së medias kundrejt transmetimeve të përmbajtjeve të dëmshme audiovizive, edukimi mediatik dhe përfaqësimi gjinor në mjedisin mediatik.

Punimet kanë nisur me panelin e përbërë nga Ana Cristina Ruelas, përfaqësuese e UNESCO-s, Monica Duran Ruiz, Spanjë, Frederic Bokobza, Francë, dhe Josip Popovac i entit rregullator Kroat.

Znj. Ana Cristina Ruelas, Specialiste e Lartë Programi në UNESCO, paraqiti Udhëzimet e UNESCO-s mbi mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes, aksesit në informacion dhe sigurisë së gazetarëve. “Ne nuk mund t’ua lëmë kompanive private t’a zgjidhin vetë këtë çështje ekzistenciale, ka thënë Ruelas. “Synimi ynë si UNESCO është të përcaktojmë kolektivisht parimet dhe proceset e moderimit të përmbajtjes, duke respektuar të drejtat e njeriut, e në veçanti lirinë e shprehjes”. Udhëzimet e UNESCO-s janë krijuar për të informuar mbi proceset e menaxhimit të përmbajtjes audiovizive në platformat digjitale, ashtu edhe për proceset e qeverisjes, që tashmë janë duke u zbatuar në fusha të tjera, që kanë  ndikim në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion, në përputhje me ndryshimet që ka sjelle mjedisi digjital. Mediat gjithashtu mund të përfitojnë nga këto Udhëzime në përpjekjen e tyre të vazhdueshme për pasqyrimin e saktë të programeve.

Z. Josip Popovac dhe znj. Monica Duran Ruiz diskutuan mbi mënyrat sesi mund të përdoren Udhëzimet e UNESCO-s për të ndërtuar rrjete komunikimi dhe bashkëpunimi më të gjera mes rregullatorëve të MNRA-së dhe ndanë eksperiencën e tyre në zbatimin në praktikë të Udhëzimeve gjatë veprimtarisë si rregullatorë. Ndërsa dy folëset e grupeve të punës znj. Joanna Spiteri dhe znj. Monica Duran Ruiz, ndanë prezantime shumë interesante mbi nivelin e pranisë dhe përfaqësimit të grave në emisionet e përditshme të lajmeve, si dhe programet sportive. Kërkimi i tyre synonte të parashtronte nëse gjinia është një faktor kushtëzues sa i përket përfaqësimit në media, në raport me grupet shoqërore dhe diversitetin. Diskutimet nxorën si përfundim që rritja e nivelit të dukshmërisë së grave në media është thelbësore për të ndërtuar dhe publikuar modele publike që kontribuojnë në mbylljen e hendekut gjinor.

Z. Jeton Mehmeti, Kryetar i KPM-së, paraqiti një aspekt të detajuar të veprimtarisë së rregullatorit KPM në nxitjen e edukimit medial të publikut, në kontekstin lokal.                          

Ndërsa prof. Georges Pleios, expert i autoritetit rregullator grek, përmbylli diskutimet e ditës së dytë të asamblesë, me një prezantim mbi përmbajtjet audiovizive që mund të konsiderohen të ndaluara, nën lupën e zhvillimeve të fundit globale dhe teknologjike.