Të licencuarit
3614 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e nëntë e Komisionit të Pavarur të Mediave

16 October 2023

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) më 13 tetor 2023, në  udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z.Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhje e nëntë të rregullt, ku ka trajtuar disa raste të natyrës së licencimit respektivisht 3 aplikacione për licencë radios (radio frekuencë), 1 kërkesë për ndryshim të pronësisë së Ofruesit të Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) me transmetim përmes operatoreve të shpërndarjes, 1 kërkesë për ndryshim të pronësisë së radios, 6 kërkesa për ripërtëritje të licencës të radiove, 1 kërkesë për ripërtëritje të licencës të OSHMA-së,   1 kërkesë për ripërtëritje të licencës të operatorit të shpërndarjes dhe 2 raste për mosripertritje të licencës së radios.

Sipas agjendës, Komisioni fillimisht ka shqyrtuar Rregulloren për Pranimin, Vlerësimin, dhe Disiplinën e Kryeshefit Ekzekutiv. Pas shqyrtimit Komisioni vendosi që miratimi i Rregullores të shtyhet për mbledhjen tjetër. Në kuadër të pozitës së kryeshefit, Komisioni ka konstatuar se ka një mospërputhje në mes të vendimit të datës 16 shtator 2019 për emërimin e Z. Luan Latifi Kryeshef Ekzekutiv me mandat katër vjeçar dhe procesverbalit të mbledhjes së KPM-së të datës 29 gusht 2019 përmes të cilit i njëjti emërohet kryeshef me mandat tre vjeçar.   

Lidhur me rastet e licencimit, Komisioni ka shqyrtuar Raportet e Komisioneve Vlerësuese për konkursin publik për frekuenca të radiove lokale në Komunën Prizrenit, transmetim në gjuhën turke dhe në Vitomiricë-Pejë , transmetim në gjuhën boshnjake.

Sipas raporteve, në këto konkurse ka pas dy kandidatë që kanë aplikuar në konkursin në Prizren dhe një në Vitomericë-Pejë. Bazuar në rezultatet e raporteve, Komisionet Vlerësuese kanë gjetur se në konkursin në Prizren, nga dy kandidatët konkurrent, kandidati Radio Hisar ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të konkursit për licencë të radios ndërsa kandidati tjetër Max Radio nuk i ka plotësuar kriteret dhe kishte mungesë të dokumentacionit në aplikacionin për licencë të radios. Komisioni vendosi që të miratojë rekomandimet për licencim të  Radio Hisar si dhe refuzojë  kërkesën për kandidatin Max Radio. Ndërsa sipas Raportit të Komisionit Vlerësues për konkursin në Vitomiricë-Pejë, kandidati i vetëm Radio Grand, nuk ka plotësuar kriteret ligjore të konkursit për licencë të radios dhe Komisioni miratoi rekomandimin për refuzim të kërkesës për licencë të radios për kandidatin Radio Grand.

Gjithashtu në rastet e tjera të licencimit, Komisioni ka miratuar kërkesat për ripërtëritje të licencës për Radio Romano Avazo, Radio Omega 3, Radio Mitrovica, Radio Iliria, Radio Peja, OSHMA TV Diaspora dhe operatorit të shpërndarjes N.SH. Bledi. Ndërsa ka shtyrë për vendimmarrje në mbledhjen e radhës kërkesat për ndryshim të pronësisë për OSHMA TE7 dhe Radio Plus dhe kërkesë për ripërtëritje të licencës nga Radio7 Kosova, për shkak të dokumentacionit të pakompletuar plotësisht.

Lidhur me rastet e dy të licencuarve Radio Borzani dhe Radio Kaçaniku, të cilat nuk kanë paraqitur fare kërkesë për vazhdimin e licencës edhe pas njoftimit të KPM-së,  Komisioni ka shqyrtuar këto dy raste dhe të njëjtëve do u përcillet njoftimi zyrtar për skadimin dhe mosvazhdimin e  licencës.

Në vijim Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar raportin tremujor të punës së KPM-së për periudhën korrik – shtator 2023,  i cili bazuar në obligimin ligjor që del nga neni 15 i Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave, i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.