Të licencuarit
3672 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM prezantoi para partnerëve dhe donatorëve objektivat për vitin 2024

28 February 2024

Është mbajtur sot takimi i organizuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave me donatorët, i cili kishte për qëllim prezantimin e objektivave dhe aktiviteteve të KPM-së të planifikuara për vitin 2024, si dhe shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim në të ardhmen.

Në takim nga KPM pjesëmarrës ishin Kryetari z.Jeton Mehmeti, anëtarët znj.Luljeta Aliu, z. Besnik Berisha e z. Fitim Veliu si dhe Zv.Kryeshefi Ekzekutiv z. Faruk Rexhaj, si dhe një pjesë tjetër e stafit të KPM-së. Ndërsa, nga partnerët donatorë pjesëmarrës ishin: përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian (EUSR in Kosovo), OSBE, Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Terre des Homes (TDZ), Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK).

Fillimisht të pranishmit u përshëndeten nga Kryetari z. Mehmeti, i cili mbajti një fjalë rasti mbi të arriturat dhe sfidat e KPM-së gjatë vitit 2023, ku i falënderoi donatorët për përkrahjen e deritanishme që i kanë dhënë KPM-së, si dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, konkretisht në realizimin e aktiviteteve të planifikuara në objektivat strategjike për vitin 2024, të cilat përfshijnë:

• Objektivi strategjik 1 - Mbrojtja e përdoruesve të shërbimeve mediale;

• Objektivi strategjik 2 - Promovimi i tregut të shëndosh medial;

• Objektivi strategjik 3 - Rritja e transparencës së të licencuarve të KPM-së;

• Objektivi strategjik 4 - Shfrytëzimi efiqent i frekuencave;

• Objektivi strategjik 5 - Rritja e integritetit institucional, efikasitetit dhe bashkëpunimit.

Kryetari z. Mehmeti prezantoi hollësisht aktivitetet e KPM-së të planifikuara për vitin 2024, fushat në të cilat KPM ka më shumë nevojë për përkrahje nga partnerët donatorë, si dhe ju përgjigj interesimeve të ngritura në takim. Gjithashtu, edhe përfaqësuesit e partnerëve donatorë realizuan një fjalë rasti lidhur me programet dhe aktivitetet të cilat i kanë në proces të realizimit dhe të planifikuara për vitin 2024.

Palët u dakorduan që mbi bazën e një agjende të përgatitur nga KPM, së shpejti të realizohen takime dypalëshe ndërmjet KPM-së dhe partnerëve donatorë, për shqyrtimin dhe bashkërendimin konkret të nënobjektivave dhe aktiviteteve.