Të licencuarit
3674 - Lajmi_i_plot | KPM

KPM lansoi hartën digjitale të pronësisë së mediave në Kosovë

08 March 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në një konferencë ka publikuar sot uebfaqen Regjistri i pronësisë së mediave në Kosovë.

Në fjalën e tij prezantuese Kryetari i KPM-së, z.Jeton Mehmeti tha se Regjistri i pronësisë së mediave në Kosovë https://regjistri.kpm-ks.org/  është një faqe që ofron të dhëna të plota për mediat e licencura në KPM, duke filluar që nga emri i të licencuarit, emri i biznesit/OJQ-së, lloji i veprimtarisë, pronësia, adresa, kontaktet, data e lëshimit të licencës, ripërtritjes dhe e skadimit të licencës, mbulueshmëria, gjuha kryesore e transmetimit dhe gjuhët tjera të transmetimit dhe detaje tjera që mund të i interesojnë publikut për mediat e licnecuara. Gjithashtu zhvillimi i kësaj faqe lidhet me zbatimin e objektivave të KPM-së, e që një prej tyre është edhe “Rritja e transparencës së të licencuarve të KPM-së”. Kryetari z.Mehmeti vuri në dukje se ky regjistër i ri ka një rol kritik në forcimin e integritetit dhe transparencës së mediave të licencuara në KPM dhe është në funksion të zbatimit të legjislacionit të KPM-së, konkretisht Rregullores KPM-2023/03, për pronësinë dhe koncentimin e të licencuarve të KPM-së.

Gjithashtu në këtë prezantim një fjalë rasti e mbajti edhe zëvendës Ambasadorja e OSBE-së, Znj. Cornelia Taylor, ku përgëzoi për lansimimin e faqes së regjistrit të pronësisë së mediave dhe tha se nga ana e OSBE-së si mbështetëse e këtij projekti, janë të lumtur që shohin një rezultat të tillë të bashkëpunimit dypalësh, i cili do të ngritë transparencën e pronësisë së mediave dhe është një hap drejt përmirësimit të standardeve etike dhe profesionale të medias në vend, si dhe për rritjen e besueshmërisë së informacionit të shpërndarë nga mediat.

Pjesëmarrësit në konferencë kishin mundësinë të shprehnin pyetje rreth funksionimit të regjistrit të ri. Lancimi i regjistrit të ri shënon një moment kyç në rrugën drejt një mjedisi mediatik më të përparuar dhe të përgjegjshëm në Kosovë.