Të licencuarit
3682 - Lajmi_i_plot | KPM

Njoftim nga mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave

17 April 2024

Komisioni i Pavarur i Mediave (NKM) më 15 prill 2024, në udhëheqjen e Kryetarit të KPM-së z. Jeton Mehmeti, ka mbajtur mbledhjen e katërt të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje Komisioni ka trajtuar disa pika të rendit të ditës si:  një kërkesë për ndryshimin e lokacionit të transmetimit të radios dhe disa kërkesa të radiove për zgjerim të mbulueshmërisë, rekomandimet e raportit të auditimit të përformancës si dhe shqyrtimin e raportit tremujor të punës.

Në fillim, Komisioni diskutoi kërkesën për ndryshimin e lokacionit të transmetimit të Radio Dodona. Komisioni pas shqyrtimit vendosi që për shkak të rëndësisë së veçantë në rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimeve të mediave audio, të miratojë kërkesën e Radio Dodona për ndryshimin e lokacionit të transmetimit.

Në vijim të mbledhjes Komisioni ka zhvilluar një diskutim të hollësishëm mbi rekomandimet e raportit të auditimit të përformancës: Menaxhimi i licencimeve ne Komisionin e Pavarur për Media. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e këtij auditimi në funksion të përmirësimit të punës së KPM në menaxhimin e procesit të licencimit. Gjithashtu edhe zbatimi i rekomandimeve të dala nga raporti, e të cilat i adresohen KPM-së.

Bazuar në Rregulloren e punës së KPM, Komisioni ka shqyrtuar termat e referencës për katër nënëkomisionet e formuara në mbledhjen e tretë:

  • Nënkomisioni për të drejtat e autorit;
  • Nënkomisioni për frekuenca dhe digjitalizim;
  • Nënkomisioni për mbikëqyrjen e procesit të inkasimit të borxheve të të licencuarve ndaj KPM-së; dhe
  • Nënkomisioni për mbikëqyrjen e procesit të zbatimit të Rregullores KPM-2023/03 për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve të KPM-së.

Qëllimi i formimit të këtyre nënkomisioneve është një hap që do të ndihmojë në organizimin dhe funksionimin efikas të Komisionit dhe në përmirësimin e performancës së tij.

Në të njëjtën kohë, u bë edhe aprovimi i raportit tremujor të punës së KPM-së, një dokument që reflekton përpjekjet dhe arritjet e Komisionit gjatë periudhës së fundit.

Në fund të mbledhjes, Komisioni ka diskutuar mbi kërkesat e disa radiove për zgjerim të mbulueshmërisë. Duke pas parasysh se KPM i jep rëndësi të veçantë zhvillimit të infrastrukturës së transmetimit dhe sigurimit të një gamë më të gjerë të shërbimeve për publikun, njëkohësisht mbetet qëllimi drejt avancimit të politikave dhe praktikave në fushën e mediave, por duke reflektuar përkushtimin e institucionit për të promovuar një mjedis të shëndetshëm medial, konform kushteve dhe termeve të licencimit. Pra çdo radio e licencuar, përveç obligimeve tjera,  duhet ti përmbahet edhe kritereve të licencës së dhënë nga KPM në funksion të shërbimit të atij komuniteti/lokaliteti të qytetarëve ku një radio transmeton dhe për të cilin lokacion ka aplikuar dhe fituar konkursin për radio frekuencë.